Yoga, ushtrime fizike apo me shume ?

Updated: Mar 25, 2019

Perceptimi i zakonshëm i njerëzve për personat që praktikojnë yoga është se kanë një trup elastik, të gjatë e të dobët por si instruktore e yoga gjithmonë dua të cek se është se yoga ka të bëjë shumë më shumë se sa përfitimet trupore. Ndikimi i yogas në personat që praktikojnë yoga shkon përtej benefiteve fizike. Përmes praktikës së yogas mësojmë më shumë për trupin tonë, mësojmë ta respektojmë limitet që i kemi dhe durimi që na nevojitet për të arritur atë që duam. Por si arrihet kjo, shpjegimi është mjaft i thjeshtë, koncentrimi në frymëmarrje, në vetvete dhe njohja e trupit tonë. (për ndërlidhjen e yogas me frymëmarrje lexo postimin paraprak)


Asanat (pozat) janë pjesë integrale e një seance të yogas dhe përbëjnë pjesën e ushtrimeve fizike. Asanat janë poza të trupit të cilat praktikohen gjate ushtrimeve të yogas dhe secila nga to ka qëllimin dhe benefitet e caktuara. Asanat zakonisht janë të organizuara në seri dhe kanë për qëllim aktivizimin e energjisë të një apo më shumë chakra. Lëvizja në asana gjithmonë është e koordinuar me frymëmarrje. Zakonisht gjatë ushtrimeve fizike kemi tendencë që të mbajmë frymën apo frymëmarrja të jetë e shpejtë dhe e shkurtër. Qëllimi i ushtrimeve të yogas është e kundërta, kombinimi i frymëmarrjes me lëvizje, zgjatja e frymëmarrjes të pozat të cilat kanë për qëllim zgjerimin e abdomenit dhe gjoksit, kurse lirimi i frymëmarrjes te pozat të cilat kanë për qëllim ngushtimin e gjoksit dhe abdomenit.


Shpeshherë klientët në klasa të yogas fokusohen në arritjen e pozës duke mbajtur trupin e shtrënguar dhe të tensionuar duke e sforcuar pozën pa u koncentruar në atë se si trupi i tyre po ndihet në ato momente. Rastet kur në asana që kanë për qëllim relaksimi ndodh tendosja e muskujve janë mjaft të shpeshta. Përderisa klientët nuk janë të vetëdijshëm për trupin e tyre, në pjesët e trupit të cilat janë duke i tendosur dhe nuk janë të koncentruar në frymëmarrje, në çdo asana ndihen jo rehat apo pa durim. Kurse qëllimi është që në çdo pozë të ndihemi thuajse mund të qëndrojmë në të në përjetësi. Prandaj fokusimi në momentin prezent, përcjellja e udhëzimeve të instruktorit si dhe koncentrimi në frymëmarrje janë esenciale gjatë një seance të yogas. Për çdo pozë që na duket e paarritshme, gjithmonë duhet të mbajmë mend se jemi vetëm një frymëmarrje larg saj. Në yoga nuk synojmë perfeksionin, thjesht të observojmë pozitën tonë dhe progresin që e arrijmë çdo ditë. Me koncentrim dhe dedikim gjithçka është e arritshme. E rëndësishme është që të mbajmë mend se yoga apo çdo aktivitet tjetër qëllim primar ka të na bëjë të ndihemi mirë dhe të dalim nga seanca të relaksuar e jo të tensionuar apo me lëndime.


Prandaj, mbani mend se një seancë e yogas nuk është thjesht një seri akrobacionesh apo lëvizjesh të shpejta e të pakontrolluara. Edhe pse sipas studimeve të zhvilluara një seancë e shpejtë e yogas mund të ketë benefite të ngjashme me ato të aerobikut apo diciplinave të tjera, qëllimi primar i saj si diciplinë shkon përtej rritjes së të rrahurave të zemrës apo djersitjes gjatë ushtrimeve. Yoga qysh në fillet e saj është zhvilluar si diciplinë që synon shëndetin e mirë, harmoninë në mes trupit dhe mendjes si dhe aktivizimi (prana). Përmes praktikës së yogës mësohet durimi, njohja e trupit dhe forcimi i tij si dhe arritja e një mirëqenie të tërësishme.


Namaste.

39 views

Follow

Contact

Address

Rr. Josip Rela, Prishtina 10000 Kosovo

©2019 by yoga me dodonen. Proudly created with Wix.com