Yoga dhe frymemarrja

Updated: Apr 15, 2019

Një seancë e yoga zakonisht fillon me ushtrime të frymëmarrjes pranayama. Në sanskrit fjala Prana do të thotë jetë (forcë e jetës) dhe yama kontroll, prandaj qysh në kohërat më të hershme ushtrimet e frymëmarrjes janë nënkuptuar si ushtrime të jetë-gjatësisë përmes mundësisë së kontrollimit të frymëmarrjes. Pranayama përbëhet nga tri faza: Purak (inhalimi), Kumbhak (mbajtja) dhe Rechak (lirimi) Në qeniet njerëzore, fryma është një lidhje aktive mes trupit dhe mendjes, ndërsa Pranayama konsiderohet si manipulim (kontrollim) i frymëmarrjes.


Fjalia që më së shumti e dëgjojmë në situata si të mira ashtu edhe të vështira të jetës është “merr frymë”. Ke një sulm paniku, merr frymë; ke emocione apo gëzim të pa përshkruar, merr frymë; ndihesh se po mbytesh vazhdo të marrësh frymë. Në një seancë të yogas fjalia që gjithashtu më së shumti e dëgjojmë është: relaksohu, mos harro të marrësh frymë. Rëndësia që frymëmarrja ka për mendjen dhe trupin tonë shpesh anashkalohet nga rrjedhat e angazhimet e jetës së përditshme.


Ajo shndërrohet në diçka automatike, të pamenduar, diçka që e marrim “taken for granted”. Shpesh harrojmë që është funksioni i parë kur lindim dhe i fundit kur vdesim. Sado që duket funksion bazik i trupit të njeriut, vetëm atëherë kur përjetojmë diçka të jashtëzakonshme koncentrohemi në frymëmarrje dhe automatikisht ndihemi më të lehtësuar.

Gjatë përvojës si mësuese e yogas kam vërejtur se shpesh kur fillojmë me ushtrime të frymëmarrjes nga klientët dëgjoj psherëtima ankese apo përtese për këtë pjesë të seancës. Për shumë njerëz frymëmarrja nënkuptohet si diçka bazike, por me kalimin e kohës përmes zgjatjes së frymëmarrjes , kohës së marrjes së frymës dhe lirimit të frymës dhe ndikimit që ka në tru, në relaksim të muskujve dhe në koncentrim edhe klientët fillojnë të pranojnë benefitet dhe të dorëzohen në një gjendje qetësie apo stillness.


Në një studim shkencor të zhvilluar nga hulumtues në Institutin e Neuroshkencës dhe Institutin Global të Shëndetit të trurit në Trinity College, në Dublin të Irlandës është vërtetuar një lidhje neurofiziologjike që shpjegon ndikimin e frymëmarrjes në kohën e reagimit dhe aktivitetin e trurit në një zonë të vogël në trurin e quajtur locus coeruleus, ku krijohet noradrenalina. Noradrenalina është neurotransmiteri kryesor i sistemit nervor simpatik, përgjegjës për ndryshimet tonike dhe refleksive kardiovaskulare. Kur jemi të stresuar ne prodhojmë shumë noradrenalin dhe nuk mund të përqendrohemi. Kur ndihemi të ngadaltë, prodhojmë shumë pak dhe përsëri, nuk mund të përqendrohemi, derisa gjejmë një mesatare ku emocionet tona, mendimi dhe kujtesa janë shumë më të qarta. Bazuar në këtë studim, përderisa marrim frymë (inhalimi) aktiviteti i locus coeruleus rritet lehtë, kurse përderisa e lirojmë frymën zvogëlohet. Rrjedhimisht, vëmendja ndikohet direkt nga frymëmarrja ku rritet dhe bie me ciklin e frymëmarrjes. Duke u fokusuar dhe duke rregulluar frymëmarrjen mund të ngrisni nivelin e vëmendjes apo koncentrimit dhe anasjelltas, duke u përqëndruar në nivelin tuaj të vëmendjes, frymëmarrja bëhet më e sinkronizuar.


Prandaj merrni të gjithë kohën që ju duhet për të kuptuar secilën pozë, koordinojeni çdo lëvizje me frymëmarrje edhe nëse duket si proces i gjatë apo i mërzitshëm. Benefitet gjithmonë do të jenë maksimale për lirim të stresit, përmirësim të vëmendjes si dhe harmonisë e shëndetit të tërë trupit.


Namaste :) Dodona

48 views

Follow

Contact

Address

Rr. Josip Rela, Prishtina 10000 Kosovo

©2019 by yoga me dodonen. Proudly created with Wix.com