Pse yoga?

Updated: Apr 15, 2019

Në ditët e sotme është thuajse e pamundur me i rezistu presionit dhe stresit nga dinamika e përditshmërisë. Prej orëve të para të mëngjesit kur zgjohemi me zhurmën e alarmit të telefonit,  vazhdojmë me tinguj të mesazheve, thirrjeve, emailave, e sirenave të veturave në trafik. Nganjëherë duket se e tërë dita na shkon tu vrapu prej një caku në tjetrin e pauzat në mes i kalojmë në telefon, “scrolling down” – në Instagram apo Facebook ku e largojmë vëmendjen  duke shikuar imazhe e video që na argëtojnë e ngarkojnë në të njejtën kohë.


Dinamika e jetës na e bën thuajse të pamundur me gjet qetësi e me qenë vetëm me veten. Personalisht, në ato ditë e javë ku jeta duket si një “roller coaster” që nuk të jep vend as kohë për një moment qetësie e një moment me marr frymë, në yoga e kam gjetur hapësirën me pas këtë kohë e me ri-fituar të gjithë energjinë e forcën e humbur. 


Për të gjithë ata që janë kuriozë: pse yoga? me ndihmën e disa prej klientëve të studios Briks Yoga kam përmbledh benefitet kryesore të yogas.


  • Qetësi shpirtërore

N’yoga për një orë i tërë fokusi është te frymëmarrja dhe trupi ynë. Sado që mendimet munden me ndërhy në praktikën tonë, përmes ushtrimeve të frymëmarrjes, meditimit si dhe ushtrimeve fizike është e pamundur që të paktën 70% të seancës të mos jemi prezent. Mundësia që për një orë me qenë larg telefonit, larg zhurmës, kaosit dhe me u marr vetëm me veten na jep kohë me i rishikuar gjërat dhe me i pa prej një perspektive tjetër. Kur marrim kohë me rikonsideru cdo brengë dhe me e largu nga mendja arrijmë qetësinë dhe durimin që na duhet.


Në anën tjetër asanat janë ushtrime që për shekuj janë përdorur për të liruar qarkullimin e energjisë në trup, balancimin e trupit dhe mendjes dhe lirimin e toksinave. Prandaj zakonisht kur pyesim “yoginit” cili është benefiti i parë që kanë vërejtur prej yogas përgjigja është qetësia shpirtërore!



  • Relaksim e kohë për veten e trupin tonë

Për dallim nga diciplinat e tjera në yoga nuk synojmë perfeksionin. Cdo asana është proces në vete që ka për qëllim aktivizimin e muskujve, balancimin e funksionit të gjëndrave dhe aktivizimin e energjisë. Asanat nuk janë poza që kërkojnë sforcimin e muskujve, por i lejojnë trupit kohën që i nevojitet për me arrit progresin e caktuar. Përmes yogas arrijmë ta pranojmë që trupi nuk është mjet perfeksioni i ndarë nga mendja. Trupi dhe mendja janë një dhe përderisa nuk e kemi mendjen e qetë edhe trupi/muskujt/nyjet do të jenë më të shtangura.  Në yoga mësojmë të ndihemi mirë me veten, me trupit tonë dhe të arrijmë harmoni mes trupit e mendjes për një mirëqenie të përgjithshme.


  • · Tonifikim i trupit

Sekuencat në yoga përveq lirimit të energjisë në trup, kanë për qëllim edhe forcimin –tonifikimin e trupit. Përmes lëvizjeve dinamike në yoga arrijmë të lirojmë muskujt e tendosur e përmes mbajtjes së pozave apo kontraktimit të muskujve i forcojmë ato. Kur kalimi nga një pozë në tjetrën zhvillohet me lëvizje të rrjedhshme e dinamike të koordinuara me frymëmarrje trupi rrit pranimin e oksigjenit dhe muskujt lirojnë nxehtësi. E vetmja peshë të cilën e përdorim gjatë seancës është pesha e trupit tonë. Definitivisht nga një praktikë e rregullt e yogas arrihet tonifikimi i trupit, forcimi i muskujve dhe rritja e fleksibilitetit! (për më shumë...)


  • Më pak dhimbje

Dhimbja e shpinës, e qafës apo e boshtit kurrizor zakonisht vjen si pasojë e qëndrimit jo të drejtë, qëndrimit për kohë të gjatë në karrik apo edhe ecjes me shpinë të kërrusur. Mbajtja e telefonit më poshtë së koka, duke kërrusur qafën gjithashtu shkakton shtangim të muskujve të qafës e dhimbje të krahëve.

N’yoga praktikojmë asana që kanë për qëllim lirimin e tensionit në qafë, krahë e shpinë, forcimin e muskujve të qafës e shpinës si dhe memorizimin e një qëndrimi të drejtë të boshtit kurrizor.

·

  • Menaxhim më i mirë i stresit

Tashmë është vërtetuar shkencërisht se stresi është një prej burimeve të shumë sëmundjeve. Stresi akut që vjen si pasojë e ngarkesave të jetës së përditshme ndikon në trurin e njeriut,  duke rritur tajimin e hormoneve të gjëndrave mbiveshkore, të cilat i dërgojnë trurit sinjale që dicka shumë e keqe do të ndodhë. Në këtë mënyrë trupi reagon duke u përgaditur për të luftuar apo për të ikur nga ai “kërcënim” – “fight or flight mode.


 Të gjitha këto reagime manifestohet me rrahje të shpeshta të zemrës, frymemarrje të shpejtë dhe rritje të tensionit të gjakut. Muskujt fillojnë të tkurren, trupi të shtrëngohet e të pregaditet të reagojë në vetëmbrojtje.  Këto reagime janë të arsyeshme kur ndodhemi pranë një aksidenti apo rreziku real. Por nëse nuk e menaxhojmë stresin që na sjellin edhe gjërat që në të vërtetë nuk paraqesin rrezik atëherë trupi e përjeton të njejtin tension. Kur “fight or flight mode” na bëhet pjesë e jetës, rreziku nga sëmundje akute rritet.


Përmes teknikave të frymëmarrjes, të relaksimit dhe meditimit që praktikohen në yoga stresi mund të reduktohet dukshëm. Në seanca të yogas ulet presioni i gjakut, relaksohen të rrahurat e zemrës, përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe sistemi i frymëmarrjes. Studimet tregojnë se yoga rrit pozitivitetin, vëmendjen dhe kujdesin për veten. Duke përmirësuar disponimin dhe rritur nivelin e prezencës në të tashmen dhe duke qetësuar mendjen yoga është mjaft efektive në lirimin e stresit.


Por nëse ju pyesim ju cka ju ka ndihmuar më së shumti yoga, cila është gjëja e parë që do të ju vjen në mendje?? : )

Na shkruani!!





133 views

Follow

Contact

Address

Rr. Josip Rela, Prishtina 10000 Kosovo

©2019 by yoga me dodonen. Proudly created with Wix.com